Të shkruarit si një dialog i brendshëm me veten

Të shkruarit është një mënyrë e fuqishme për të komunikuar jo vetëm me të tjerët, por në radhë të parë me veten. Të shkruash është të jesh vetvetja. Nuk mund ta imagjinoj se si mund të shkruash dhe të mos jesh i vërtetë! E kuptoj deri diku se si nuk mund të thuash të vërtetën e plotë kur je në një situatë të caktuar kur flet/përballesh drejtpërdrejt me dikë. Por të ulesh dhe të shkruash është krejt ndryshe. Është akti më i bukur dhe më i sinqertë i komunikimit me veten.

Kur ulem dhe shkruaj, ndjej sa shumë fjalë, mendime dhe ide shfaqen pa efekt dhe përpiqen të depërtojnë në të njëjtën kohë. Në garën mes tyre, vetëm disa arrijnë në sinapsin e fundit të trurit, i cili i “përkthen” ato mendime në shkrim. Ndërsa, ndërgjegjja ime i pret derisa të arrijnë qëllimin e duhur dhe të kalojnë pragun për t'u “shndërruar” në shkrim.

Të shkruarit është një dialog i brendshëm me veten. Edhe kur shkruani për të tjerët. Si mund të mos jesh autentik kur flet me veten? Eshte e pamundur.

Por jo vetëm kaq. Ky proces shkon edhe më thellë. Nëpërmjet kanalit të komunikimit me veten, ju lidheni paralelisht me veten tuaj të brendshme, më të lartë, nga e cila merrni frymëzime një nga një.

Është si shiu i verës që bie pa ndalur dhe të kap befas në mes të rrugës. Ndjenjat më të mira e keni kur dorëzoheni dhe ndjeni çdo pikë (shiu) që bie në trupin tuaj. Me rritjen e ndjeshmërisë, filloni të ndjeni pikat që bien rreth jush: në trotuare, ndërtesa, në tokë, asfalt. Derisa të bëhesh NJË me shiun. Dhe kjo ndjesi vazhdon deri sa të mbarojë shiu, deri në momentin kur bëhesh qull dhe nuk qan kokën se si dukesh nga jashtë apo si shohin të tjerët që fshihen në strehëzat brenda ndërtesave të tyre.

I tillë është akti i të shprehurit me shkrim. I pastër, i ndershëm, natyral, energjik dhe pasionant.